Pavarësisht se udhëzimi i ri i Partisë Demokratike e përjashton automatikisht nga gara, Ervin Salianji ka njoftuar se nesër do të dorëzojë në selinë blu të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të kandiduar për kreun e ri të PD-së.
Në reagimin e tij, Salianji e cilësoi procesin një farsë dhe akuzoi drejtuesit e partisë për manipulim të rregullave në favor të Sali Berishës.
“Do depozitoj gjithçka është kërkuar, pavarësisht se është qartësisht farsë. Një dokument që publikohet vetëm disa orë pas mbylljes së afatit. Pa lista zgjedhore, pa kohë të barabartë. Kjo është uzurpim përmes farsës, por qartësisht edhe frikë e Sali Berishës për t’u përballur”, deklaroi ai.
Udhëzimi i bërë publik sot, por i firmosur që më 18 mars, përcakton tre kriteret për kandidatët. Kriteri i tretë përjashton automatikisht personat e dënuar me vendim të formës së prerë, çka prek drejtpërdrejt Salianjin, i dënuar me një vit burg për “kallëzim të rremë”.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse dokumentacioni i tij nuk pranohet, Salianji u përgjigj shkurt: “Nuk e njoh si proces, është uzurpim”.
Në një tjetër reagim në rrjetet sociale, nga jashtë Shqipërisë, ai tha se nuk do të tërhiqet nga beteja për demokratizimin e Partisë Demokratike.
“Pavarësisht farsës, nesër depozitoj kërkesën për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”, shkroi Salianji.
Deri më tani, kandidatura e vetme e zyrtarizuar mbetet ajo e Sali Berishës. Ky i fundit ka deklaruar më herët se Salianji është “i vetëpërjashtuar” nga PD, pas zhvillimit të takimeve të veçanta jashtë strukturave zyrtare të partisë.














