Pikëpyetja më e madhe që duhet të shqetësojë sot Partinë Demokratike është arsyeja pse ajo nuk po arrin të nxjerrë shqiptarët në kutitë e votimit. Kështu u shpreh Ervin Salianji gjatë një takimi me demokratët në Durrës, pas atij të zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë.

Salianji, së bashku me Ilir Alimehmetin, një prej kandidatëve më të votuar nga listat e hapura të PD në zgjedhjet e 11 majit, mblodhën dhjetëra demokratë të qytetit bregdetar, ku u diskutua për gjendjen e opozitës dhe sfidat përballë saj.

Reklame

“Duhet ta themi hapur dhe me sinqeritet: opozita nuk po arrin t’i nxjerrë shqiptarët drejt kutive të votimit dhe nuk po arrin t’i fitojë zgjedhjet. Zgjedhjet e pjesshme lokale janë mesazh. Edi Rama nxori 15 mijë votues në Vlorë, ndërsa ne nuk nxorëm më shumë se 2 500,” u shpreh Salianji.

Ai shtroi si shqetësim faktin që edhe skandalet e mëdha politike nuk kanë prodhuar reagim masiv qytetar. “Një super-skandal si ai i Belinda Ballukut nuk bëri që njerëzit të vërshonin në shesh, të revoltoheshin dhe të rrëzonin qeverinë,” tha ai.

Salianji foli edhe për lodhjen dhe zhgënjimin e bazës demokrate, duke theksuar se humbjet dhe vjedhjet zgjedhore kanë lënë pasoja të thella. “Personalisht e ndjej plagën tuaj dhe të çdo demokrati. Humbjet na kanë ulur kokën dhe na kanë gërryer shpirtin. E ndjej dhimbjen e militantëve që u lanë të qëndronin në shi dhe të ftohtë. Demokratët janë lodhur dhe ne nuk duhet ta kemi frikë ta themi të vërtetën ashtu siç është,” u shpreh ai.

Sipas Salianjit, Partia Demokratike duhet të hapet dhe të ripërtërihet për të rikthyer shpresën. “PD nuk është thjesht një parti politike. Është vokacion, pasuri kombëtare. Por ajo duhet të hapet, të rinovohet, të zgjohet. Zëri i ri bashkon njerëzit përtej partive dhe ka sjellë shpresë dhe aspiratë fitoreje në disa bashki,” theksoi ai.

Në fund, Salianji deklaroi se Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë dhe një PD të sinqertë dhe energjike. “Ne kemi forcën për ta sjellë rotacionin politik. Kjo nuk është opsion, është përgjegjësi historike. Duhet të ngrihemi në lartësinë e pritshmërive të shqiptarëve dhe të trokasim në çdo derë,” përfundoi ai.

Reklame