Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe, pasi 22-vjeçari Lorik Abazi humbi jetën pas një sulmi me thikë në jug të Londrës.
I riu, me origjinë nga Croydon, u gjet me plagë të rënda në zonën Valley Retail Park, në Hesterman Way, rreth orës 01:15 të së dielës. Ai u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Metropolitan Police njoftoi se dy gra 25 vjeçe dhe një 28-vjeçar u arrestuan nën dyshimin për vrasje. Njëra prej grave është liruar me kusht, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Autoritetet po punojnë për të sqaruar motivin dhe dinamikën e ngjarjes, ndërsa zona ku ndodhi sulmi u izolua për disa orë për hetime të detajuara.
Në një deklaratë që prek thellë, familjarët e Lorikut e përshkruan atë si:
“Një djalë i kujdesshëm, i zgjuar dhe me sens të mirë humori, me gjithë jetën përpara.
Ne, prindërit, vëllai, e dashura, gjyshërit, familja e gjerë dhe miqtë, e donim shumë. Një dritë është shuar në jetët tona dhe jemi të shkatërruar përtej fjalëve nga humbja e tij.”
Humbja e 22-vjeçarit ka lënë pas dhimbje të madhe tek të afërmit dhe miqtë, ndërsa komuniteti shqiptar në Londër është tronditur nga kjo vrasje e rëndë.















