Gjatë një vizite zyrtare në Budapest, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të revokojnë vizat për çdo person që, sipas tij, ndërmerr veprime kundër interesave kombëtare amerikane.
I pyetur lidhur me politikën e pezullimit të vizave, Rubio u shpreh prerë:
“Nëse hyni në vendin tonë si vizitor dhe ndërmerrni veprime kundër interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do t’jua heqim vizën.”
Deklaratat u bënë gjatë takimit me kryeministrin hungarez, Viktor Orbán, në kryeqytetin hungarez.
Rubio theksoi se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Hungarisë ndodhen në një “fazë të artë”, duke nënvizuar se bashkëpunimi dypalësh është forcuar ndjeshëm, veçanërisht në sektorët e ekonomisë dhe energjisë.
Sipas tij, Hungaria është shndërruar në një partner të rëndësishëm strategjik për SHBA-në, ndërsa investimet amerikane në këtë vend janë në rritje të vazhdueshme.
Ai vlerësoi gjithashtu klimën e biznesit në Hungari, duke e cilësuar si të qëndrueshme dhe konkurruese, faktor që – sipas tij – ka nxitur interesin e kompanive amerikane për të zgjeruar praninë në tregun hungarez.
Deklaratat e Rubios vijnë në një moment kur administrata amerikane po forcon mesazhet lidhur me sigurinë kombëtare dhe kontrollin e vizave, duke paralajmëruar masa të drejtpërdrejta ndaj individëve që konsiderohen se cenojnë interesat e SHBA-së.














