Policia Kufitare e Vlorës ka ndëshkuar dy drejtues mjetesh lundruese, të cilët rrezikuan sigurinë e pushuesve duke lëvizur në mënyrë të paligjshme pranë bregut. Për shkeljet e konstatuara, autoritetet vendosën gjoba deri në 510 mijë lekë të rinj dhe bllokuan administrativisht mjetet lundruese.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, identifikuan drejtuesin e një mjeti lundrues tip Jet Ski, i cili po lëvizte shumë pranë bregut në plazhin e Semanit, duke rrezikuar pushuesit. Rasti ishte bërë publik edhe në rrjetet sociale.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi E. D., u ndëshkua me një gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa Jet Ski iu bllokua administrativisht.
Në një rast tjetër, gjatë patrullimeve në afërsi të Zvërnecit, në zonën e Plazhit të Hidrovorit, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një gomone që lëvizte brenda perimetrit të sigurisë, pranë zonës ku ndodheshin pushuesit.
Mjeti drejtohej nga shtetasi J. H., i cili, sipas verifikimeve, nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm për mjetin lundrues. Për këtë shkelje, ai u gjobit me 510 mijë lekë të rinj, ndërsa edhe gomonia u bllokua administrativisht.
Policia e Shtetit apelon ndaj të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitet në det të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë. Autoritetet theksojnë se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik dhe çdo shkelje që rrezikon jetën e pushuesve do të ndëshkohet sipas ligjit.
Sarandë, bllokohen dy Jet Ski që rrezikuan pushuesit – Policia vendos gjoba nga 500 mijë lekë
Jet Ski futet mes pushuesve në Karaburun, Policia e bllokon dhe gjobit drejtuesin me 500 mijë lekë













