Advertisement

Kryeministri Edi Rama doli sot publikisht në mbështetje të Kryeinspektorit të Përgjithshëm, ish-deputetit të PD-së Dashnor Sula, në prezantimin e fazës së re të reformës së sistemit të inspektimeve.

Shefi i qeverisë vlerësoi formimin juridik të Sulës dhe eksperiencën e tij të mëparshme në sistemin e drejtësisë, por nuk la pa përmendur edhe përplasjet e forta që kanë pasur në Kuvend gjatë kohës kur Sula ishte në opozitë.

Reklame

Rama e cilësoi emërimin e tij si një sfidë, duke theksuar se kalimi nga politika në administrimin e shtetit kërkon përgjegjësi konkrete dhe rezultate të matshme.“Kryeinspektori vjen nga një pjesë e karrierës që ka qenë politika, por më parë ka qenë protagonist në sistemin e drejtësisë. Ka formimin e nevojshëm për ta ndjekur këtë punë, pasi formimi juridik është i rëndësishëm. Por ka edhe sfida: ato që i ka thënë Blerinës në Parlament, tani bashkë me Blerinën dhe të tjerët t’i adresojë.

Jemi vend i vogël për t’u ndarë në shumë pjesë. Kur vjen politika, ndarja është e natyrshme, por kur vjen puna tek shteti dhe objektivat, për aq kohë sa na jepet mundësia, mirë është të përpiqemi së bashku.

Kjo është edhe një sfidë personale, sepse edhe mua nuk më ka kursyer në Parlament. Tani të shohim si do t’i bëjë detyrat për të cilat nuk na ka lënë gjë pa thënë. Të kalosh nga teoria tek praktika e punës është si të kalosh nga poezia tek romani”, u shpreh Rama.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur qeveria synon të thellojë reformën në sistemin e inspektimeve, me fokus rritjen e transparencës, forcimin e kontrollit institucional dhe reduktimin e abuzimeve administrative.

Emërimi i Sulës, një figurë që deri pak kohë më parë ishte në radhët e opozitës, është parë si një lëvizje me simbolikë politike, duke sjellë bashkëpunim përtej vijave partiake në funksione kyçe të administratës shtetërore.

Reklame