Kryeministri Edi Rama ka kritikuar Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) për pagat e përcaktuara për drejtuesit dhe anëtarët e tyre, duke i lidhur këto me atë që ai e cilësoi si problematika të reformës në drejtësi.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ndërsa SPAK dhe Gjykata e Posaçme përfaqësojnë, sipas tij, “fytyrën e suksesit” të reformës, KLGJ dhe KLP janë “fytyra e dështimit”.“Kur KLGJ dhe KLP nuk iu mjafton paga, imagjinoni administratën”, deklaroi Rama.

Reklame

Kryeministri theksoi se pagat e këtyre institucioneve janë disa herë më të larta se ato të anëtarëve të qeverisë, duke ngritur pikëpyetje mbi pretendimin se ato janë të pamjaftueshme.

“Kanë të pamjaftueshme pagat disa herë më të larta se ne këtu, imagjino si mund të thotë nëpunësi i administratës”, u shpreh Rama.

Ai e zgjeroi kritikën edhe te performanca e administratës publike, duke thënë se një nga problemet është mungesa e ndëshkimit për performancën negative.

Sipas Ramës, pjesa më e madhe e punonjësve të administratës publike janë “ndër njerëzit më të pastër të Republikës”, ndërsa vlerësoi rreth 1 mijë punonjës për përfaqësimin e Shqipërisë në Bruksel gjatë procesit të diagnostikimit në kuadër të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur pagat dhe mënyra e përcaktimit të tyre për institucionet e drejtësisë janë bërë pjesë e debatit publik, veçanërisht për shkak të diferencave të konsiderueshme mes pagave në sistemin e drejtësisë dhe administratës publike.

Lexo edhe

Rama mbledh sot socialistët dhe qeverinë/ “Prania Besnike” në tryezë, priten lëvizje në kabinet

Rama prezanton “Shkallën e Meritës”: Një tjetër platformë i shtohet “Besës”, “Pranisë Besnike” dhe “PasqyrAlbania”

Reklame