Kryeministri Edi Rama ka përsëritur akuzat ndaj opozitës dhe faktorëve të huaj për dhunën gjatë protestave në Tiranë, duke deklaruar se sulmet dhe dëmtimet në kryeqytet nuk përfaqësojnë lëvizjen studentore.

Nga një prej kioskave të djegura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rama tha se pas akteve të dhunshme, sipas tij, qëndrojnë opozita dhe persona që nuk e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Reklame

Kreu i qeverisë e lidhi situatën e krijuar me procesin e integrimit europian, duke vënë në dukje se tensionet përkojnë me përparimin e Shqipërisë në negociatat për anëtarësim. Sipas tij, kjo nuk është rastësi, por një përpjekje për të penguar vendin të ecë përpara. Për këto akuza ndaj opozitës dhe faktorëve të huaj, Rama nuk paraqiti në këtë deklaratë prova konkrete.

“E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore”, deklaroi kryeministri, duke kundërshtuar idenë se dhuna dhe dëmtimet në qytet lidhen me kërkesat e studentëve.

Ai u shpreh se studentët dhe sipërmarrësit kanë të drejtë të kërkojnë më shumë dhe se problemet e tyre duhet të adresohen, por theksoi se qeveria nuk duhet të tërhiqet përballë akteve të dhunshme.

“Studentët, sipërmarrësit, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, ndërkohë që problemet janë aty, duhen adresuar. Kush thotë le të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon”, tha Rama.

Rama dënon përfshirjen e të miturve në protestë

Gjatë deklaratës, kryeministri dënoi edhe përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke ngritur shqetësimin për rrezikimin e jetës së tyre gjatë përplasjeve me policinë.

“Si mund të nxirren të miturit në rrugë, të vënë maska, të shkulin trotuaret dhe qëllojnë policinë? Si mund të rrezikohet jeta e të miturve si një lukuni e verbër për axhendë të tjetërkujt?”, u shpreh ai.

Rama i krahasoi dëmet e shkaktuara gjatë protestave me pasojat e tërmetit, duke kujtuar se Shqipëria ka përballuar edhe kriza të mëdha dhe, sipas tij, ka arritur të ringrihet përmes bashkëpunimit.

Në përfundim, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve për durim, duke e cilësuar situatën një sprovë për vendin.

“Durim se kjo do të kalojë dhe do të dalim më të fortë dhe të vetëdijshëm”, përfundoi Rama.

Ndërkohë, protestat kundër qeverisë janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, dëmtime të pronës publike e private dhe përdorim të mjeteve për shpërndarjen e turmave. Kërkesat e studentëve dhe përgjegjësia për aktet e dhunës mbeten çështje të veçanta që kërkojnë trajtim dhe verifikim.

Lexo edhe

Shqipëria në kaos nga protestat e studentëve, Rama për “Reuters”: Nuk do të jap dorëheqjen

Berisha thirrje për bojkot të mësimit: Biznesmenët t’i bashkohen protestës, Rama të japë dorëheqjen

Reklame