Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian në Jerevan, ku ka theksuar rëndësinë e bashkimit dhe forcimit të Europës në një kontekst global gjithnjë e më të paqëndrueshëm.
Në deklaratën e tij për shtyp, Rama e cilësoi samitin si një mundësi për të ndarë “ambiciet dhe shqetësimet e përbashkëta”, duke nënvizuar nevojën për një Europë më të bashkuar dhe më funksionale.
Ai u shpreh se NATO duhet të mbështetet më shumë në kapacitetet europiane, duke sugjeruar rritjen e rolit të vendeve të BE-së në arkitekturën e sigurisë.
“Një Bashkim Europian që nuk është i plotë është më i dobët dhe më i cenueshëm,” tha Rama, duke theksuar se integrimi nuk duhet parë si proces individual për vende të veçanta, por si domosdoshmëri për vetë stabilitetin e Europës.
Sipas tij, vendimmarrja duhet të jetë më e shpejtë dhe më e koordinuar, pasi sfidat aktuale kërkojnë një Europë më të unifikuar dhe më të aftë për të vepruar në mënyrë të përbashkët.















