Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mbledhjes me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, duke bërë me dije se në fokus të takimit ishte detajimi i programit për sezonin e ri politik.

Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se puna do të vijojë me kalendarizimin e “Pranisë Besnike” në çdo territor, si dhe me mekanizma të rinj për ndërveprimin mes qeverisë dhe deputetëve.

Reklame

Sipas kryeministrit, synimi është përmirësimi i mëtejshëm i shërbimeve publike në nivel qendror dhe vendor.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte “PasqyrAlbania”, për të cilën Rama bëri të ditur se do të hartohen edhe ndryshimet e nevojshme ligjore.

“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri”, shkroi Rama, duke renditur më pas prioritetet e diskutuara gjatë mbledhjes.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se është diskutuar progresi në hartimin e nismës së integruar “Shqipëria Sociale”.

Për këtë nismë, sipas Ramës, do të zhvillohet një Konferencë Kombëtare e posaçme në muajin nëntor.

Mbledhja e Ramës me ministrat dhe drejtuesit politikë vjen pas takimeve dyditore në Pogradec, ku në fokus kanë qenë dokumentet strategjike të Partisë Socialiste, “Besa” dhe “Prania Besnike”, si dhe mënyra e re e ndërveprimit me qytetarët.

Me nisjen e sezonit të ri politik, mazhoranca pritet të përqendrohet në organizimin në terren, përmirësimin e shërbimeve publike dhe përgatitjen e nismave të reja qeverisëse.

Lexo edhe

Ndryshimet në qeveri/ Rama pritet të largojë të paktën 5 ministra

Frikë nga protesta! Rama ndryshon vendin e takimit, ministrat mblidhen në vilën qeveritare

Reklame