Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar një transformim të mënyrës së funksionimit të strukturave të PS-së, duke deklaruar se mandati i katërt duhet të shënojë një kthesë të rëndësishme për partinë dhe marrëdhënien e saj me qytetarët.

Në një fjalim përpara socialistëve, Rama tha se grupi parlamentar, kabineti qeveritar, kryebashkiakët dhe drejtuesit politikë në territor duhet të kenë një qasje të re ndaj qytetarëve dhe pritshmërive të tyre.

Reklame

Sipas tij, në një periudhë kur qytetarët kanë më shumë pritshmëri, nuk mjafton më të mbështetesh te mirënjohja për punët e kryera gjatë viteve të qeverisjes.

“Grupi parlamentar, kabineti, kryebashkiakët dhe i gjithë lidershipi i partisë në territore duhet të jetojnë me sensin e përparësisë së përditshme. Në epokën e mungesave, makineria jonë elektorale ka fituar sepse ka mobilizuar mirënjohjen për gjithçka që është bërë. Në epokën e pritshmërive, kjo makineri duhet të pësojë një transformim jetik”, deklaroi Rama.

Kreu i PS-së tha se detyra e socialistëve nuk është të mbrojnë strukturat e partisë, por t’i ndryshojnë ato nga brenda.

“Detyra jonë nuk është ta mbrojmë makinerinë nga ajo çfarë ka rreth dhe jashtë saj, por ta shpëtojmë makinerinë nga vetvetja”, u shpreh ai.

Rama: Mandati i katërt, kthesë strategjike drejt njerëzve

Rama deklaroi se mandati i katërt qeverisës nuk duhet të jetë i ngjashëm me mandatet e mëparshme, por duhet të shënojë një kapitull të ri për Partinë Socialiste.

Ai theksoi se PS-ja duhet të kalojë nga një “prani elektorale” në një “prani njerëzore”, duke qenë më pranë qytetarëve edhe jashtë periudhave zgjedhore.

“Mandati i katërt nuk mund, nuk duhet dhe duhet të bëjmë çmos të mos jetë si të mëparshmit. Duhet të jetë kapitulli i një kthese të madhe jo vetëm për faktin që Shqipëria do të mbyllë negociatat e anëtarësimit në BE, por për PS-në duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve”, tha Rama.

Sipas tij, partia duhet të dëgjojë më shumë qytetarët dhe të ndjekë problematikat e tyre deri në gjetjen e zgjidhjeve.

Nga “partia që kërkon votën e njerëzve”, Rama tha se PS-ja duhet të shndërrohet në “partinë që rri pranë njerëzve kur u tregojnë çfarë duan”.

Ai kërkoi që strukturat socialiste të jenë më të hapura ndaj ideve të reja dhe njerëzve të rinj, jo vetëm në moshë, por edhe në mënyrën e të menduarit.

“Të qëndrosh gjatë në pushtet do të thotë të hapësh partinë, të hapësh vendimmarrjen, procesin qeverisës për njerëz të rinj jo thjesht në moshë, por në mendësi, të krijosh hapësirë për ide të reja, të prodhosh drejtues, jo vetëm ndjekës”, deklaroi kreu i PS-së.

“Detyra jonë nuk është të provojmë se nuk jemi të lidhur pas pushtetit”

Rama tha se synimi i socialistëve nuk duhet të jetë qëndrimi sa më gjatë në pushtet, por puna që do të mbetet pas përfundimit të mandateve.

Ai renditi si objektiva mbylljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, modernizimin e vendit dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë.

“Dua ta ngjisim Shqipërinë në BE, ta bëjmë të pakthyeshëm modernizimin e vendit, ta bëjmë të palëkundshme pavarësinë e drejtësisë, institucione që funksionojnë njësoj për të gjithë”, u shpreh Rama.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se qëndrimi për një kohë të gjatë në pushtet mund të sjellë rrezikun e vetëkënaqësisë dhe humbjes së kontaktit me realitetin.

“Partitë ndryshken kur pushojnë së ndryshuari, plaken kur ngatërrojnë eksperiencën me pagabueshmërinë”, tha ai.

Në fund, Rama deklaroi se Partia Socialiste mund të vijojë të kërkojë mandate të tjera vetëm nëse arrin të dëgjojë edhe qytetarët që nuk e kanë votuar dhe të përballet me problemet që nuk arrin t’i zgjidhë.

“Turp është vetëm të duash ta mbash pushtetin duke harruar për çfarë ta dhanë”, përfundoi kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste.

Lexo edhe :

Manipulimi i informacionit dhe ndërhyrja e huaj, Rama: Nuk duhet më ushtri për të destabilizuar një vend

“Prokuroria t’i tregojë vendin”/ Rama publikon videon e Shehajt

Reklame