Në Shqipëri ka një ritual politik që përsëritet me përpikmëri olimpike prej më shumë se 30 vitesh: Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë dalin çdo ditë para kamerave si armiq të betuar, por sapo mbyllen mikrofonët dhe largohen kamerat, gjejnë gjuhën e bashkëpunimit me një qetësi që do ta kishin zili edhe diplomatët më profesionistë në botë.
Në publik bëjnë sikur nuk durojnë dot njëri-tjetrin. Njëri flet për “regjim”, tjetri për “non grata”. Njëri denoncon “vjedhjen e zgjedhjeve”, tjetri “dhunën dhe bllokimin e opozitës”. Parlamenti kthehet në teatër ulërimash, konferencat për shtyp ngjajnë si trailer lufte dhe militantët ushqehen çdo ditë me idenë se Shqipëria ndahet në dy kampe që urrehen deri në palcë.
Por mjafton të preken interesat reale të sistemit dhe “armiqtë” bëhen partnerë racionalë.
Kështu ndodhi me reformën zgjedhore. Pas gjithë akuzave për manipulim, deformim votash dhe masakër elektorale, palët u ulën dhe gjetën formulën e “konsensusit”. Sepse në fund, sistemi duhet ruajtur. Loja duhet kontrolluar. Rregullat duhet të shkruhen nga ata që kanë dekada që administrojnë pushtetin me rotacion.
E njëjta skenë po luhet edhe me reformën territoriale. Në publik flasin për decentralizim, zhvillim rajonal dhe interes qytetar. Në prapaskenë bëhen llogaritë e vërteta: sa bashki fiton njëri, sa humbet tjetri, cilat zona prodhojnë vota, ku duhen vizatuar kufijtë politikë për të mos prishur ekuilibrin mes të mëdhenjve.
Sepse reforma territoriale në Shqipëri nuk ka qenë kurrë thjesht administrative. Ka qenë gjithmonë reformë mandatesh.
Edhe tani, ndërsa në televizione shfaqen si kundërshtarë ekzistencialë, drejtuesit politikë bredhin qytet më qytet duke bërë takime, pazare elektorale dhe llogari mandatesh. Njëri organizon ture “falënderimi”, tjetri “takime me strukturat”, por të dy lëvizin mbi të njëjtën hartë interesi: si të ruhet kontrolli mbi sistemin politik dhe si të mos lejohet askush jashtë klubit të vjetër të pushtetit.
Madje ironia arrin kulmin te ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Për javë të tëra dëgjuam britma për demokraci të rrezikuar, diktaturë parlamentare dhe sulm ndaj opozitës. Pastaj, papritur, erdhi “konsensusi”. Socialistët u tërhoqën nga disa pika. Demokratët fituan disa të tjera. Të gjithë dolën të kënaqur. Dhe popullit iu shit sërish përralla e “fitores politike”.
Në realitet, ajo që u pa ishte diçka shumë më e thjeshtë: dy parti që zihen për ekranet dhe pajtohen për interesat.
Sepse PS dhe PD mund të kenë konflikte për retorikën, por rrallëherë kanë konflikt real për mekanizmin e pushtetit. Aty harmonizohen shpejt. Shumë shpejt madje.
Dhe kjo është tragjikomedia më e madhe e tranzicionit shqiptar: qytetarët vazhdojnë të ndahen me pasion në kampe politike, ndërsa ata që i ndezin këto kampe pinë kafe bashkë sapo duhet ndarë sistemi.
Në fund, “lufta” mes tyre shpesh duket më shumë si një shfaqje e mirëkoordinuar për publikun sesa një përplasje reale për interesa qytetare.
Sepse kur vjen puna për pazaret, PS dhe PD nuk kanë qenë kurrë kundërshtarë të vërtetë. Vetëm ortakë që grinden për rolet në skenë.














