Prej orës 11:00 po zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku marrin pjesë deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues institucionesh, mes tyre edhe drejtuesja e Kadastrës, Lorena Goxhobelli.

Takimi po mbahet pa praninë e mediave dhe me dyer të mbyllura. Megjithatë, nga pamjet e publikuara nga vetë Partia Socialiste e Shqipërisë, vihet re një detaj që ka tërhequr vëmendjen: Elisa Spiropali dhe Erion Braçe janë pozicionuar në pjesën e pasme të sallës, larg kryeministrit Edi Rama.

Reklame

Ky zhvillim vjen në një moment kur brenda grupit socialist janë evidentuar qëndrime kritike. Më herët, Spiropali pati një përplasje publike me drejtuesin e grupit parlamentar, Taulant Balla, pas mungesës së saj në seancën e 12 marsit, ku u votua çështja e imunitetit të Belinda Balluku.

Nga ana tjetër, Braçe ka ngritur vazhdimisht shqetësime për çështje ekonomike, përfshirë rritjen e çmimeve dhe krizën e naftës, duke reflektuar pakënaqësi të brendshme në radhët e socialistëve.

Mbledhja pritet të zbardhë më shumë mbi qëndrimet dhe debatet brenda grupit parlamentar të PS.

Reklame