Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim të gjatë në rrjetet sociale lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestën e zhvilluar në Tiranë, duke theksuar se ata nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë.
Rama u shpreh se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë popull shtetformues në vendin e tyre, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre të pavarur.
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj. Shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur”, shkroi kryeministri.
Kreu i qeverisë kritikoi edhe pjesëmarrjen e disa grupeve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestë, duke i cilësuar ata si “ushtarë të verbër të karvaneve politike” dhe duke ngritur pyetjen se kujt i shërben, sipas tij, paraqitja e tyre si “diasporë” që synon rrëzimin e qeverisë në Tiranë.
Rama akuzoi organizatorët dhe sponsorët e këtyre pjesëmarrjeve se po dëmtojnë imazhin e shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, ndërsa shtoi se qeveria e tij do të vazhdojë mandatin deri në vitin 2029.
“Duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029”, u shpreh ai.
Kryeministri reagoi edhe ndaj përdorimit të flamurit të UÇK-së gjatë protestës, duke e cilësuar këtë një “përdhosje” të simbolit të luftës çlirimtare.
Në fund të reagimit të tij, Rama kërkoi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mos përfshihet në këtë debat politik.
“Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe. Nuk do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata”, shkroi kryeministri.














