Seanca plenare e kësaj të enjteje ka nisur me tensione në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar foltoren menjëherë pas nisjes së leximit të rendit të ditës nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar zhvillimin e seancës sipas axhendës së parashikuar, duke deklaruar se, sipas tyre, “sot ka vetëm një pikë në rend dite”.

Reklame

Tensionet në Parlament zhvillohen në një klimë të rënduar politike, ndërsa jashtë godinës është paralajmëruar një tjetër protestë e të rinjve. Për këtë arsye, Policia ka vendosur një kordon sigurie rreth Kuvendit, me qëllim parandalimin e incidenteve të mundshme.

Interpelanca me ministrin e Brendshëm, në fokus sjellja e policisë

Pika e parë e rendit të ditës parashikon një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, të kërkuar nga Partia Demokratike.

Opozita kërkon shpjegime për sjelljen e Policisë gjatë protestave të zhvilluara para Parlamentit, përpara përshkallëzimit të demonstratave në rrugët e Tiranës.

Interpelanca ishte kërkuar edhe më herët, por ishte shtyrë me argumentin se ministri Demo sapo kishte marrë detyrën dhe kishte nevojë për kohë për t’u njohur me çështjet e ngritura.

Mbetet për t’u parë nëse gjatë diskutimeve do të trajtohet edhe mënyra se si Policia është sjellë gjatë protestave të ditëve të fundit, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe efektivëve.

Në Kuvend edhe interpelanca me dy ministra të tjerë

Përveç interpelancës me ministrin e Brendshëm, në seancën e sotme janë parashikuar edhe dy interpelanca të kërkuara nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

Ato lidhen me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu disa projektligje, mes tyre ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave, projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe projektligjin për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.

Reforma Territoriale, një tjetër pikë e rëndësishme

Një nga çështjet kryesore të seancës është edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

Pas miratimit të hartës së re territoriale, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, Partia Socialiste synon të nisë punën për ndryshimet ligjore që lidhen me kompetencat e pushtetit vendor.

Ndërkohë, zhvillimet brenda Kuvendit dhe protesta e paralajmëruar jashtë tij e vendosin seancën e sotme në një klimë të tensionuar politike.

Lexo edhe

Protesta para Kuvendit në orën 09:00, Rama mungon në seancën, çfarë pritet sot në parlament

Pas dorëheqjes së kryetarit, Vlora Çitaku, e propozuara e vetme në krye të PDK-së

Reklame