Protesta e 54-të qytetare para Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Gjatë protestës u përdorën gaz lotsjellës, ujë me piper dhe autobotë me ujë, ndërsa protestuesit hodhën vezë dhe bidonë në drejtim të efektivëve të policisë dhe automjeteve zyrtare.
Qytetarët u mblodhën që në orët e para të mëngjesit para godinës së Kuvendit, në të njëjtën ditë kur po zhvillohej seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit marshuan drejt Parlamentit. Ndër sloganet e dëgjuara gjatë tubimit ishin “Parlamenti i krimit”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Nuk na përfaqësoni!”.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e asaj që ata e cilësojnë si klasë të vjetër politike.
Masa të shtuara sigurie para Kuvendit
Përpara nisjes së protestës, Policia e Shtetit kishte marrë masa të shtuara sigurie në zonën përreth Parlamentit.
I gjithë perimetri i Kuvendit ishte rrethuar me gardhe metalike, ndërsa në terren u angazhuan forca të shumta policore.
Në kryqëzimin pranë Xhamisë së Namazgjasë u lejua kalimi i deputetëve, ndërsa qytetarëve iu kufizua hyrja në drejtim të Parlamentit.
Në zonë u vendosën gjithashtu efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), si dhe automjete të kësaj force.
Tensionet u përshkallëzuan gjatë protestës, duke sjellë përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Situata vijoi të monitorohej nga Policia, ndërsa protestuesit qëndruan përpara Kuvendit.
Protesta e 54-të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike dhe në ditën e fundit të sesionit parlamentar.
Protestuesit hedhin vezë ndaj deputetëve para Kuvendit














