Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka uruar të gjithë qytetarët shqiptarë me rastin e festave të Nëntorit, duke sjellë një mesazh reflektimi për historinë, sakrificën dhe misionin e sigurisë.

“Nëntori është muaji i flamurit, i rrënjëve tona dhe i krenarisë kombëtare,”—shprehet Proda, duke nënvizuar se kjo periudhë e shënuar për shqiptarët kujton gratë dhe burrat që luftuan për liri dhe pavarësi.

Reklame

Proda i kushtoi një vend të veçantë rolit historik të Policisë së Shtetit, si institucioni që çdo ditë garanton sigurinë e qytetarëve.

“Policia e Shtetit është organizata e vetme e sigurisë me qindra dëshmorë që kanë rënë në krye të detyrës. Ata janë pjesë e identitetit tonë profesional dhe njerëzor, janë në piedestalin e nderit dhe historisë,”—theksoi ai.

Drejtori i Përgjithshëm vuri në dukje se Policia sot është më e hapur dhe më pranë komunitetit se kurrë më parë, duke e konsideruar bashkëpunimin me qytetarët si themelin e sigurisë publike.

“Me vlerat e të shkuarës dhe me besimin tuaj, jemi të vendosur të bëjmë edhe më shumë për të ardhmen, për një mjedis më të sigurt për të gjithë,”—shtoi Proda.

Në përmbyllje të mesazhit të tij, ai përcolli falënderime dhe urime për të gjithë qytetarët:

“Me respekt dhe mirënjohje për qytetarët që na besojnë, në emër të Policisë së Shtetit ju uroj Gëzuar Festat e Nëntorit! Le të na bashkojnë krenaria, dinjiteti, dashuria për atdheun dhe kultura e ligjit. Nder dhe respekt për të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe vazhdojnë të sakrifikojnë për Shqipërinë!”

Reklame