Advertisement

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka urdhëruar këtë të hënë një seri kontrollesh në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të hetimit për tjetërsimin e dyshuar të pronave në zonën e Zvërnecit, ku prej javësh ka pasur kundërshtime dhe protesta për ndërtimin e një resorti luksoz.

Sipas informacioneve të siguruara, ndër personat ndaj të cilëve janë kryer kontrolle figuron edhe biznesmeni Redi Struga, një nga emrat e lidhur me zhvillimin e projektit në zonë.

Reklame

Struga është inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult” sh.p.k., ndërsa sipas të dhënave të bëra publike, kompania e tij ka blerë prona në zonën e Zvërnecit nga zotërues të ndryshëm gjatë viteve të fundit.

Emri i tij ka marrë vëmendje edhe për shkak të rolit që luan përmes kompanisë “Albanian Land Development”, ku rezulton administrator. Kjo kompani konsiderohet si një nga hallkat lidhëse mes projektit në Shqipëri dhe investitorëve nga Katari.

Në qendër të interesit janë vëllezërit miliarderë Ramez Al-Khayyat dhe Mohamad Al-Khayyat, të cilët janë përfshirë në investimin e planifikuar në bregdetin e Vlorës. Emrat e tyre janë përmendur edhe për bashkëpunimin me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Kontrollet e SPAK synojnë mbledhjen e dokumentacionit dhe provave që mund të ndihmojnë në verifikimin e ligjshmërisë së transaksioneve dhe dokumenteve të pronësisë që lidhen me sipërfaqet ku parashikohet zhvillimi i projektit.

Deri tani nuk ka asnjë akuzë të bërë publike ndaj Redi Strugës apo personave të tjerë të përfshirë në hetim. Veprimet e SPAK janë pjesë e një procedure hetimore në vazhdim për të sqaruar nëse ka pasur apo jo shkelje ligjore në procesin e përfitimit dhe regjistrimit të pronave në Zvërnec.

Hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi një nga çështjet më të debatuara të muajve të fundit, e cila ka sjellë përplasje mes banorëve, aktivistëve dhe përfaqësuesve të projektit turistik.

Reklame