Prokuroria pranë Gjykatës së Sarandës ka lëshuar 12 masa sigurimi në kuadër të një hetimi për shpërdorim detyre dhe ndërtime të paligjshme në qytetin bregdetar.
Sipas organit të akuzës, masat janë caktuar ndaj punonjësve të Komisariatit të Policisë Sarandë, zyrtarëve të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) si dhe disa biznesmenëve të përfshirë në sektorin e ndërtimit.
Hetimet lidhen me procedimin penal nr. 304 të vitit 2026, ku dyshohet për mosveprim të institucioneve përgjegjëse përballë ndërtimeve pa leje.
Deri tani janë ekzekutuar masa sigurimi për katër persona nën hetim:
- ish-shefi i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është vendosur masa “arrest në shtëpi”;
- dy inspektorë të policimit në komunitet, për të cilët gjykata ka caktuar masën “arrest në burg”;
- pronari i hotelit Hotel Oasis, i arrestuar për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm.
Sipas Prokurorisë, po punohet edhe për ekzekutimin e tetë masave të tjera të sigurisë të vendosura nga gjykata.
Personat nën hetim dyshohen për veprat penale:
- “Shpërdorim detyre”;
- “Mosmarrje masash për ndërprerjen e paligjshmërisë”;
- “Ndërtim i paligjshëm”.
Organi i akuzës thekson se hetimet do të vijojnë për të identifikuar çdo rast abuzimi dhe për të dokumentuar përgjegjësinë e punonjësve të policisë apo institucioneve të tjera që mund të jenë përfshirë në lejimin e ndërtimeve të paligjshme në Sarandë.














