Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ofroi “garanci të plota” për sigurinë e tifozëve që do të ndjekin ndeshjet e Kupës së Botës në Guadalajara, mes tensioneve të fundit të shkaktuara nga përplasjet e përgjakshme me kartelin lokal.
Ajo theksoi se “nuk ka asnjë rrezik” për vizitorët që do të udhëtojnë në qershor për katër ndeshjet e planifikuara në qytet, një nga tre qendrat pritëse të turneut që do të organizohet nga FIFA në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Deklaratat e presidentes vijnë pas një vale dhune të shpërthyer pas vrasjes së Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, lider i Jalisco New Generation Cartel (CJNG).
Ai u vra në një operacion ushtarak rreth 130 kilometra nga Guadalajara. Pas eliminimit të tij, karteli reagoi me shkëmbime të armatosura me forcat e sigurisë, duke lënë dhjetëra viktima – mes tyre ushtarë dhe anëtarë të kartelit.
Përplasjet detyruan turistë dhe banorë të largoheshin përkohësisht për t’u strehuar, ndërsa aktiviteti ekonomik u paralizua.
Autoritetet lokale kanë njoftuar se bizneset në shtetin e Jalisco do të rihapen, ndërsa shkollat pritet të rifillojnë mësimin.
Guadalajara mbetet një nga qytetet kyçe të Kupës së Botës 2026, ku ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin Estadio Akron.
Qeveria meksikane thekson se prioriteti është stabilizimi i situatës dhe garantimi i sigurisë maksimale për sportdashësit vendas dhe ndërkombëtarë, në një moment kur vëmendja globale është përqendruar te organizimi i turneut më të madh të futbollit në botë.














