Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë një ofertë të re publike Partisë Demokratike të Kosovës për zgjidhjen e ngërçit politik që ka përfshirë vendin në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Kurti kërkoi që presidenti të zgjidhet gjatë ditës së sotme, ndërsa ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të votohen në lexim të dytë gjatë paradites së së enjtes.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor dhe, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë kreun e shtetit deri në mesnatë, vendi shkon drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Kurti: Presidenti është “emergjencë”, ligji për Specialen “urgjencë”
Në konferencën për mediat, Kurti tha se çështja e zgjedhjes së presidentit dhe ajo e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë janë dy çështje të ndara, edhe pse zhvillimet politike i kanë vendosur aktualisht në të njëjtin ngërç.
“Ligji është urgjencë, por presidenti është emergjencë. Presidenti duhet të zgjidhet sot. Ligjin mund ta votojmë duke respektuar afatin 72-orësh. Le ta zgjedhim presidentin sonte dhe publikisht zotohem para jush që paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë i projektligjit për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Kurti.
PDK, e cila ka kushtëzuar mbështetjen e saj për procesin presidencial me miratimin e ndryshimeve për Dhomat e Specializuara, ka kërkuar që ligji të përfundojë fillimisht në të dyja leximet.
Oferta për PDK-në: Të paktën gjysma e deputetëve në sallë
Kurti i kërkoi PDK-së që të angazhohet publikisht se të paktën gjysma e grupit të saj parlamentar do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së kandidatit për president, Bekim Sejdiu.
“Nëse PDK zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër i kemi bashkë me LDK, ne po procedojmë me votimin dhe leximin e tyre”, tha ai.
Kurti shtoi se deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër kandidatit, por kërkoi që të marrin pjesë në seancë dhe të shprehen përmes votës.
“62 deputetë do të jenë të enjten për Specialen”
Kryeministri deklaroi gjithashtu se garanton pjesëmarrjen e 62 deputetëve në Kuvend gjatë ditës së enjte për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Unë garantoj si kryetar i LVV-së dhe si kryeministër që 62 deputetë do të jenë aty për të votuar projektligjin për Dhomat e Specializuara paraditen e së enjtes”, tha Kurti.
PDK, ndërkohë, ka mbajtur qëndrimin se fillimisht duhet të përfundojë miratimi i ligjit dhe më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentit.
Kurti: Dënimi i krerëve të UÇK-së dhe presidenti janë çështje të ndara
Kurti tha se çështja e dënimit në shkallë të parë të katër ish-krerëve të UÇK-së nuk duhet të lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet e brendshme politike.
“Çështjen e dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë nuk e kemi ndërlidhur me zhvillimet e brendshme dhe as me çështjen e presidentit. Këto janë tema të ndara, por që i tejkalojnë të gjitha partitë. Janë çështje të interesit të përbashkët kombëtar”, u shpreh ai.
Kryeministri tha se pret që vendimi ndaj katër të dënuarve në shkallë të parë të korrigjohet në Apel dhe kërkoi një strategji shtetërore e kombëtare për këtë proces.
Ngërçi politik dhe protestat
Situata vjen pas përplasjes politike mes LVV-së dhe PDK-së mbi rendin e dy çështjeve: zgjedhjen e presidentit dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
PDK ka kërkuar që ligji të miratohet përfundimisht përpara votimit për presidentin, ndërsa LVV kërkon që fillimisht të zgjidhet kreu i shtetit.
Ndërkohë, para Kuvendit janë zhvilluar protesta për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara. Protestat e 5 tetorit u shoqëruan edhe me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, ndërsa autoritetet raportuan të lënduar dhe arrestime.
Kurti tha se i është drejtuar publikisht kreut të PDK-së, Bedri Hamza, pasi ky i fundit ka refuzuar një takim të ri pa u votuar më parë ligji për Specialen.
“Si mund të kërkohet marrëveshje pa takim?”, tha Kurti, duke kërkuar që PDK-ja të mos bojkotojë Kuvendin, por të marrë pjesë në votim.
Nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues, Kosova përballet me zgjedhje të reja parlamentare.
Lexo edhe
“Lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet e drejtë”/ Kurti nga SHBA kundër aktgjykimit të Hagës














