Procesi gjyqësor për vrasjen e Ardit Spahiut, ngjarje e ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek, po vijon në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel, mes përplasjeve të forta mbi besueshmërinë e provave të paraqitura nga prokuroria.
Sipas mediave të huaja, në seancën e fundit, mbrojtja e të akuzuarit Elvis Murataj kërkoi shpalljen e pafajësisë, duke vënë në pikëpyetje:
përshkrimet e dëshmitarëve okularë,
provat e ADN-së,
komunikimet e përgjuara përmes platformës Sky ECC.
Avokatët deklaruan se Murataj nuk ka pasur asnjë rol në atentat, ndërsa përshkrimi fizik i bërë nga dëshmitarët për tre personat në automjetin e dyshuar nuk përputhet me profilin e tij.
Edhe Franc Gergely (Franc Çopja) ka kërkuar pafajësinë, duke e cilësuar dosjen e prokurorisë si të pabesueshme dhe pa prova konkrete. Ai është një nga katër të pandehurit që kundërshtojnë akuzat, së bashku me Elton Roçin, Blerim Mamutajn dhe Elvis Muratajn.
Sipas hetimeve, Ardit Spahiu u ekzekutua me 18 plumba nga dy armë zjarri, në atë që prokuroria e konsideron hakmarrje mes klaneve shqiptare. Megjithatë, një pjesë kyçe e zinxhirit të dyshuar të krimit mungon në sallën e gjyqit.
Dy persona të identifikuar si atentatorë të dyshuar, Flobenc Meçja dhe Endrit Sadedini, nuk po gjykohen në Bruksel, pasi ndodhen të burgosur në Shqipëri për çështje të tjera penale, duke lënë boshllëqe serioze në ndërtimin e akuzës.
Procesi do të vijojë me seanca të tjera, ku pritet të paraqiten argumentet përfundimtare për secilin nga të akuzuarit. Juria do të duhet të vendosë nëse provat e administruara janë të mjaftueshme për fajësi, apo nëse çështja e vrasjes së Ardit Spahiut do të mbetet një dosje me shumë akuza dhe pak prova.














