Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me debat të ashpër mes opozitës dhe mazhorancës, pas akuzave për deklarime të pavërteta lidhur me procesin e IBAR.
Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi akuzoi ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin Toni Gogu se ka mashtruar publikun duke deklaruar miratimin e IBAR, ndërkohë që sipas saj ky proces nuk është finalizuar.
Sipas Vokshit, ministri ka dalë në deklaratë publike përpara përfundimit të procedurave dhe ka njoftuar miratimin e IBAR në mënyrë të parakohshme.
“Si mundet një ministër të japë një lajm që nuk është i vërtetë. Të mashtrojë publikun. Të paktën tre vende anëtare kanë pasur probleme… ministri Gogu duhet të kërkojë falje”, deklaroi ajo në Kuvend.
Në replikë, ministri Gogu hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si pjesë e qëndrimeve politike të opozitës dhe mungesë objektiviteti ndaj progresit të vendit.
“Më vjen keq që ju keni kontribuuar në 8 mijë akuza të ngecjes së progresit… jeni i vetmi formacion që nuk pasqyroni progresin drejt BE-së”, tha Gogu gjatë fjalës së tij.
Debati u përqendrua gjithashtu në procesin e integrimit europian dhe ecurinë e reformave, ku palët shkëmbyen akuza të ndërsjella për përgjegjësinë politike mbi ritmin e negociatave.














