Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në rrjetin social X lidhur me vendimin e Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë për mbylljen e rrjetit social TikTok, i cili u konsiderua si cenim i lirisë së shprehjes.
Në reagimin e tij, Rama ironizoi qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se sipas këtij vendimi duket sikur shumica e prindërve dhe mësuesve shqiptarë kanë qenë në gabim kur kërkuan mbylljen e përkohshme të platformës.
Kreu i qeverisë theksoi se masa e marrë nga qeveria kishte dhënë rezultate konkrete, pasi sipas tij kompania kishte marrë masa shtesë për kontrollin dhe sigurinë e përmbajtjeve në platformë. Rama shtoi se rihapja e TikTok-ut u bë pas mirëkuptimit me kompaninë dhe pas ndryshimeve të ndërmarra prej saj.
“Falë asaj mbylljeje sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar”, shkroi Rama në reagimin e tij.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas kërkesës së bërë nga organizatat e medias, të cilat kundërshtuan vendimin e qeverisë për bllokimin e platformës, duke e konsideruar atë si një kufizim të lirisë së shprehjes.














