Partia Demokratike ka nisur përjashtimet ndaj mbështetësve të ish-deputetit Ervin Salianji, duke goditur fillimisht në nivel lokal në Bashkinë e Durrësit.

Dy anëtarë të Këshillit Bashkiak janë përjashtuar nga grupi i këshilltarëve të PD-së, për shkak të qëndrimeve të tyre në mbështetje të Salianjit. Bëhet fjalë për Dritan Burgija, kreu i grupit të këshilltarëve demokratë në Durrës, si dhe Arlind Boshku, njëkohësisht sekretar i degës së PD në këtë qytet.

Reklame

Vendimi është marrë nga Kryesia e Partisë Demokratike dhe mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka. Në dokumentin zyrtar theksohet se përjashtimi bazohet në shkelje të statutit dhe rregullores së brendshme të partisë.

Në vendim thuhet se Burgija dhe Boshku përjashtohen nga grupi i këshilltarëve në mbështetje të neneve përkatëse të statutit të PD-së dhe për shkelje të rregullave të brendshme të organizimit.

Po ashtu, Kryesia ka propozuar Ardian Mukën si kandidat për të marrë drejtimin e grupit të këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak të Durrësit.

Ky zhvillim sinjalizon thellimin e përçarjeve brenda Partisë Demokratike, ndërsa pritet të shihet nëse përjashtime të tjera do të pasojnë edhe në degë të tjera të vendit.

Reklame