Një ditë pas debatit të brendshëm në radhët e socialistëve, ku kryeministri Edi Rama pati një perplasjes të drejtpërdrejtë me Elisa Spiropali, kjo e fundit ka zgjedhur të përgjigjet… me diell.
Në një postim në Facebook, Spiropali ka publikuar një foto ku shfaqet e buzëqeshur, ndërsa rrezet e diellit i bien në fytyrë, e shoqëruar me mesazhin:
“Të dielë të bukur☀️ Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas.”
Një mesazh që në pamje të parë duket krejt i pafajshëm, por që vjen menjëherë pas përplasjes së djeshme në mbledhjen e Partisë Socialiste, duke mos i shpëtuar leximeve politike.
Në korridoret e politikës, “drita” dhe “hijet” rrallëherë janë vetëm metafora poetike. Postimi i Spiropalit shihet si një përgjigje e tërthortë ndaj tensioneve të fundit, duke lënë të kuptohet se, pavarësisht toneve të ashpra në mbledhje, ajo zgjedh të mbajë “fytyrën nga drita”.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse kjo “dritë” do të shuajë hijet e debatit të djeshëm, apo thjesht i ndriçon ato më qartë.
















