Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka deklaruar se rritja e kostos së jetesës është kthyer në një emergjencë për familjet shqiptare, duke akuzuar qeverinë se politikat ekonomike kanë sjellë çmime të larta dhe të ardhura të pamjaftueshme.

Në një deklaratë për mediat, Kedhi u ndal te inflacioni, çmimet e ushqimeve, kostot e strehimit dhe fuqia blerëse e familjeve, duke argumentuar se diferenca mes çmimeve dhe të ardhurave po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetet familjare.

Reklame

Sipas tij, inflacioni në korrik ka arritur nivelin më të lartë në më shumë se dy vite, ndërsa rritja është ndikuar veçanërisht nga ushqimet, strehimi dhe transporti.

“Ja kemi kaluar Europës me çmimet, por krahasohemi me vendet më të varfra për mirëqenien”, deklaroi Kedhi.

Ushqimet dhe qiratë rëndojnë buxhetin familjar

Kedhi pretendoi se familjet shqiptare shpenzojnë rreth 40% të buxhetit për ushqime, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian, sipas tij, është rreth 13%.

Ai u ndal edhe te tregu i banesave në Tiranë, duke deklaruar se një apartament 1+1 kushton mesatarisht rreth 590 euro në muaj, ndërsa një apartament 2+1 rreth 954 euro.

Sipas tij, në disa raste kostoja e qirasë arrin në 80–90% të të ardhurave të familjes dhe mund edhe t’i tejkalojë ato.

Nënkryetari i PD-së tha gjithashtu se 55% e shqiptarëve deklarojnë se nuk arrijnë të mbyllin muajin, ndërsa përmendi edhe një vlerësim të Bankës Botërore për nivelin e varfërisë në Shqipëri.

Akuzat për modelin ekonomik

Kedhi e lidhi rritjen e kostos së jetesës me atë që e cilësoi si “model ekonomik” të bazuar në prodhim të dobët vendas, varësi nga importet dhe përqendrim të tregjeve.

Sipas tij, ekonomia shqiptare ka nevojë për më shumë prodhim vendas, industri, teknologji, bujqësi dhe eksporte, ndërsa investimet janë orientuar në mënyrë disproporcionale drejt ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.

Ai përmendi gjithashtu korrupsionin, evazionin fiskal dhe ekonominë informale si faktorë që, sipas tij, shtrembërojnë konkurrencën dhe përfundimisht reflektohen te çmimet që paguan konsumatori.

“Në fund, të gjithë faturën e paguan qytetari: te çmimi i apartamentit, te qiraja, te ushqimet, te karburanti dhe te paga që nuk rritet dot sa duhet”, u shpreh Kedhi.

PD propozon minimumin jetik dhe uljen e taksave

Kedhi deklaroi se Partia Demokratike ka propozuar në Kuvend një sërë masash për uljen e kostos së jetesës, ndër to përcaktimin me ligj të minimumit jetik dhe indeksimin e tij sipas kostos reale të jetesës.

Ai përmendi gjithashtu propozimin për një sistem fiskal me taksë të sheshtë 10%, mbrojtjen e të ardhurave të ulëta nga tatimi, zero tatim për biznesin e vogël dhe profesionet e lira, si dhe uljen e barrës fiskale mbi karburantin.

Sipas tij, PD ka propozuar edhe uljen e TVSH-së dhe incentiva për prodhimin dhe industrinë.

“Natyrisht, asnjë masë e vetme nuk mjafton. Duhet çrrënjosur nga të gjithë ne së bashku, ky sistem klientelist e oligarkik, për të rikthyer ekonominë e vërtetë të tregut”, deklaroi ai.

Në përfundim, Kedhi tha se ulja e kostos së jetesës do të mbetet një nga prioritetet kryesore të Partisë Demokratike, duke e lidhur këtë me atë që e quajti “Kontratë Dinjiteti” dhe rindërtimin politik e ekonomik të vendit.

Lexo edhe:

Ngërçi politik në Kosovë/ PDK kërkon vazhdimin e seancës

Berisha propozon ekipin e ri drejtues të PD, debate në Këshillin Kombëtar për rikandidimin e Flamur Nokës

Reklame