Deklarata të forta dhe kritika të drejtpërdrejta kanë ardhur nga Ervin Salianji, i cili gjatë një emisioni televiziv ka ngritur alarmin për gjendjen e Partisë Demokratike. Sipas tij, PD po vuan nga një qasje përjashtuese ndaj çdo individi që mendon ndryshe dhe ka ngecur në një rreth të mbyllur politik, duke qarkulluar të njëjtën elitë prej vitesh.
Salianji u shpreh se Partia Demokratike ka nevojë urgjente për ripërtëritje dhe bashkim të brendshëm, nëse synon realisht të sfidojë dhe rrëzojë qeverinë e Edi Ramës. Ai theksoi se aktualisht PD i “turret” çdo zëri kritik, duke krijuar një klimë frike dhe përjashtimi brenda saj.
“Kur PD më shpall mua armik, ndërkohë që kam mbështetje te njerëzit dhe një vokacion publik, imagjino çfarë ndodh me të tjerët që mendojnë ndryshe”, deklaroi Salianji, duke e cilësuar këtë sjellje si shkatërruese për një forcë politike që pretendon të vijë në pushtet.
Sipas tij, PD duhet të hapet ndaj shoqërisë dhe të integrojë figura të reja dhe personalitete të çertifikuara, të cilët mund të sjellin energji dhe besueshmëri. Ai ngriti pyetjen nëse PD ka apo jo njerëz me kapacitete, duke vënë në dukje se rezultatet e zgjedhjeve të fundit treguan qartë se çfarë tipologjie kandidatësh preferojnë qytetarët shqiptarë.
“PD është në stanjacion. Qarkullon të njëjtën elitë politike. Vota e shqiptarëve tregoi qartë se çfarë kërkojnë ata”, tha Salianji, duke nënvizuar se pa ndryshim real dhe pa bashkim, opozita do të mbetet e pafuqishme përballë mazhorancës.
Deklaratat e tij kanë ndezur debat të fortë në radhët e demokratëve dhe në opinionin publik, duke rikthyer në qendër të vëmendjes krizën e brendshme të PD-së dhe nevojën për një reformim të thellë politik.














