Një darkë elitare në Pekin për nder të presidentit amerikan Donald Trump tërhoqi vëmendjen e mediave botërore, por ajo që bëri më shumë përshtypje ishte prania e miliarderes kineze Zhou Qunfei, e ulur mes Elon Musk dhe Tim Cook.
Prania e saj në këtë event simbolizonte një nga historitë më të fuqishme të suksesit në biznesin modern kinez — një rrugëtim që nisi nga varfëria ekstreme dhe përfundoi në majat e industrisë globale të teknologjisë.
E lindur në një fshat të varfër në Hunan, Zhou u përball me vështirësi të mëdha që në fëmijëri. Nëna i vdiq kur ajo ishte vetëm pesë vjeç, ndërsa babai mbeti i verbër dhe me aftësi të kufizuara pas një aksidenti në punë. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, ajo u detyrua të linte shkollën në moshën 16-vjeçare dhe të transferohej në Guangdong për të punuar në fabrika.
Pas vitesh kursimi nga paga minimale, Zhou arriti të mbledhë rreth 20 mijë juanë dhe hapi një punishte të vogël për përpunimin e xhamave të orëve në Shenzhen, me ndihmën e familjarëve.
Por ambicia e saj shkoi shumë më larg. Duke parë potencialin e madh të telefonave inteligjentë, ajo themeloi Lens Technology, kompani që u fokusua në prodhimin e xhamave me prekje për ekranet e telefonave.
Suksesi i madh erdhi kur kompania siguroi një kontratë për modelin legjendar V3 të Motorola. Kjo marrëveshje e ktheu kompaninë në një furnizues global dhe hapi rrugën për bashkëpunime me gjigantë si Nokia dhe Samsung.
Momentin vendimtar Zhou e përjetoi në vitin 2007, kur Steve Jobs prezantoi iPhone-in e parë. Teksa industria po kalonte drejt ekraneve me prekje prej qelqi, Lens Technology bashkëpunoi ngushtë me Apple për zhvillimin dhe prodhimin masiv të paneleve të qelqit për iPhone.
Ky partneritet e transformoi kompaninë në një nga furnizuesit më të mëdhenj në botë për ekranet me prekje, me produkte që më vonë u përdorën në iPhone, iPad dhe MacBook.
Sot, kompania është zgjeruar edhe në industrinë automobilistike dhe robotikë, duke furnizuar komponentë për Tesla, BMW, Mercedes-Benz dhe Li Auto.
Historia e Zhou Qunfei konsiderohet sot si një nga shembujt më frymëzues të suksesit “self-made” në Azi — një grua që nisi jetën në varfëri rurale dhe përfundoi në mesin e njerëzve më të fuqishëm të teknologjisë globale.














