Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 277/1/1, datë 02.07.2025, në ngarkim të tre të pandehurve të akuzuar për ndërhyrje të paligjshme në sistemet kompjuterike dhe shpërndarje të të dhënave hetimore.
Të pandehurit janë:
Arnold Rrokaj, i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg”, i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike” dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, sipas neneve 192/b, 293/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Zambak Gjoni, i hetuar gjithashtu me masën “Arrest në burg”, i akuzuar për “Përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike”, të kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.
Agim Ismaili, i hetuar në gjendje të lirë, i akuzuar për “Përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike” dhe përfshirje në veprimtarinë e grupit të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, i pandehuri Arnold Rrokaj ka aksesuar në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme, një pjesë e të cilave janë dërguar në mënyrë të paligjshme te Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili. Këta të fundit dyshohet se i kanë shpërndarë më pas materialet tek persona të tretë.
Prokuroria bën me dije se Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni u identifikuan dhe u arrestuan brenda 24 orësh, duke parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore të klasifikuara.
Gjatë hetimeve, pas analizimit të provave dhe veprimeve procedurale, akuzat u zgjeruan edhe ndaj Agim Ismailit, i cili dyshohet se, pasi u njoh me përmbajtjen e të dhënave të siguruara në mënyrë të paligjshme, jo vetëm i shpërndau ato, por edhe kërkoi me vetëdije thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të SPAK, duke synuar sigurimin e të dhënave për persona të ndryshëm.
Me dërgimin e dosjes në Gjykatën e Posaçme, SPAK kërkon gjykimin e plotë të çështjes, duke e cilësuar rastin si një ndërhyrje serioze në sistemet e drejtësisë dhe një rrezik për integritetin e hetimeve penale.














