Himni Kombëtar Shqiptar mungoi në një aktivitet të zhvilluar në Pustec, ku të pranishëm ishin Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe autoritete vendore shqiptare. Pas reagimeve për mungesën e simbolit kombëtar, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, me në krye Ferit Hoxhën ka dalë me një sqarim që, në vend të qetësimit, duket se shton edhe më shumë pikëpyetjet.

MEPJ shprehet se i vjen keq që Himni i Shqipërisë nuk u luajt krahas atij të Maqedonisë së Veriut. Por, në mbrojtje të situatës, ministria sjell në vëmendje faktin se aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale.

Reklame

Pra, Himni shqiptar mungoi, por përgjegjësia duket se ka mbetur pezull mes protokollit shtetëror dhe organizatorëve të aktivitetit.

Ministria e cilëson mungesën e Himnit Shqiptar si një “shmangie” nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të protokollit, duke theksuar se respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të lihet në varësi të interpretimit apo rrethanave.

Ferit Hoxha është i njëjti zyrtar që është përballur më herët me kritika për mënyrën se si është shprehur ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut duke i quajtur idiota. Nëse atëherë shqiptarët u trajtuan me etiketime që shkaktuan polemika, në Pustec Himni i tyre mbeti pa zë.

Reagimi i plote

“MEPJ shpreh keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar dje në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të Kryetarit të Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik.

Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë.

Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme.

Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona.”

Lexo edhe:

Shqipëri-Serbi, Ferit Hoxha sqaron marrëveshjen për konsullatat: Synimi ynë është prania shqiptare në Luginën e Preshevës

Ferit Hoxha për Zelenskyn në Serbi: Kosova nuk mund të barazohet me asnjë situatë tjetër

Reklame