Në seancën gjyqësore për sekuestrimin e pasurive, Mustafa Martinaj ka dhënë dëshmi të zgjeruar mbi aktivitetin financiar të familjes, konfliktet e mëhershme dhe rrethanat që lidhen me zhdukjen e Ervis Martinaj.
Deklarata për ngjarjen e “Ish Bllokut”
Martinaj ka folur edhe për konfliktin e vitit 2018 në zonën e “Ish Bllokut”, ku djali i tij u plagos dhe një person tjetër humbi jetën. Sipas tij, ngjarja lidhet me përplasje të mëhershme, ndërsa ka përmendur edhe njohje të personave të përfshirë.
Ai ka theksuar se një banesë e sekuestruar sot në emër të një shtetasi tjetër është dhuruar nga djali i tij për Eljo Haton, me pretendimin se ky i fundit i kishte shpëtuar jetën Ervis Martinajt.
“Falja e banesës është bërë vetëm se Eljo Hato i ka shpëtuar jetën Visit”, ka deklaruar ai në gjykatë.
Pretendimet për pasuritë
Gjatë dëshmisë, Mustafa Martinaj ka deklaruar se djali i tij është marrë me pika lojërash fati me licencë dhe se aktiviteti, sipas tij, ka qenë i rregullt dhe i deklaruar.
Ai ka shtuar se vetë familja është përballur me disa hetime ndër vite, përfshirë verifikime nga institucionet financiare dhe autoritetet tatimore.
Sipas tij, disa nga pasuritë e sekuestruara janë krijuar nga aktivitetet familjare dhe investime të bëra ndër vite, përfshirë edhe hoteleri dhe transferta financiare.
Zhdukja e Ervis Martinajt
Martinaj ka deklaruar se i biri ka jetuar kryesisht në Laç deri në gusht të vitit 2022, kur është zhdukur dhe nuk ka më asnjë informacion për fatin e tij.
Ai ka shtuar se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur dijeni për pasuri të tjera të rëndësishme të regjistruara në emër të tij, përveç atyre që janë bërë publike në procesin gjyqësor.
Çështja e sekuestrimit të pasurive të familjes Martinaj vijon të mbetet një nga dosjet më të ndjeshme të hetimeve ekonomiko-financiare në vend.














