Mirlinda Karçanaj është paraqitur mesditën e kësaj të enjteje në ambientet e Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për skandalin e dyshuar të tenderëve në Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Ish-drejtoresha e AKSHI-t fillimisht ishte vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por më pas Gjykata e Lartë vendosi zbutjen e masës në “detyrim paraqitje”, duke e lejuar të hetohet në gjendje të lirë, me detyrimin për t’u paraqitur periodikisht pranë organeve të drejtësisë.

Reklame

Karçanaj, e konsideruar si një nga drejtueset më jetëgjata të AKSHI-t dhe person që ka administruar qindra milionë euro fonde publike, u mor e pandehur bashkë me zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi.

Sipas dosjes hetimore, ajo akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi kriminal.

Në të njëjtin hetim janë përfshirë edhe biznesmenët Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, ndaj të cilëve është caktuar masa “ndalim i largimit nga vendi”.

Ndërkohë, në hetime përmenden edhe Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ky i fundit pronar i kompanisë SOFT & SOLUTION, e cila sipas të dhënave të publikuara ka regjistruar afro 18 milionë euro të ardhura dhe rreth 11 milionë euro fitime gjatë vitit 2024.

Reklame