Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj deklaratave të Partisë Demokratike dhe raportimeve në media për procedurën e prokurimit të tre avionëve për shuarjen e zjarreve, duke theksuar se procesi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Në reagimin zyrtar, Ministria hedh poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur” apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin.
Sipas Ministrisë, procedura është zhvilluar si procedurë konkurruese për qëllime ushtarake, në përputhje me legjislacionin për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Autoriteti bën me dije se në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë, ndërsa operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët. Operatori tjetër, sipas Ministrisë, u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, si dhe kapacitetin ekonomik dhe teknik.
Në lidhje me pretendimet për kompaninë fituese, Ministria e Mbrojtjes deklaron se AVIATION TRADE EUROPE, S.L. ka dorëzuar certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe se gëzon të drejtën për të marrë pjesë në procedurat publike të prokurimit.
Sipas reagimit, çështja e përmendur në media lidhet me një proces gjyqësor në Spanjë, i cili ende nuk ka marrë formë të prerë dhe ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë, ndaj nuk prodhon efekte juridike që do të çonin në përjashtimin e operatorit nga procedurat e prokurimit.
Ministria shton se kompania ka vijuar të lidhë kontrata me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, duke përmendur si shembuj Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.
Në përfundim, Ministria e Mbrojtjes thekson se investimi për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve është një projekt me rëndësi strategjike për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit, duke garantuar se procedurat do të zhvillohen në respekt të ligjit dhe interesit publik.
Lexo edhe:
PD kërkon anulimin e tenderit 15 milionë euro për avionët zjarrfikës: Të hetojë SPAK
Rama: Avioni i parë zjarrfikës nis operacionet, Shqipëria më e përgatitur për përballimin e zjarreve















