AC Milan merr një fitore të artë në javën e 27-të të Serie A, duke triumfuar 0-2 në transfertë ndaj US Cremonese. Një sukses që i jep zemër kuqezinjve përpara përballjes së shumëpritur me Inter.
Skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri vuajti gjatë takimit, por në fund arriti të marrë tre pikë të çmuara falë dy golave të realizuar në minutat shtesë.
Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, edhe pse të dyja ekipet krijuan raste të mira shënimi. Milani tentoi të marrë kontrollin e lojës, por hasi në rezistencën e fortë të vendasve.
Në fraksionin e dytë, kuqezinjtë shtuan presionin në sulm, ndërsa zhbllokimi erdhi në mënyrë dramatike. Në minutën e 90-të, mbrojtësi Strahinja Pavlović shënoi me kokë, duke dërguar topin në rrjetë dhe shpërthyer festën e miqve.
Pak çaste më vonë, Rafael Leão vulosi gjithçka me një kundërsulm të shpejtë dhe të saktë, duke dyfishuar shifrat dhe mbyllur përfundimisht llogaritë e sfidës.
Me këtë fitore, Milani mban vendin e dytë në renditje me 57 pikë, 10 më pak se Interi kryesues. Tashmë gjithçka është gati për derbin e javës së ardhshme, një përballje që mund të rihapë garën për titull.














