Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nuk ka marrë ende një vendim mbi kërkesën e Ilir Metës për transmetimin live të seancave gjyqësore ndaj tij.

Avokati i tij, Kujtim Cakrani, në një deklaratë për mediat, e ka cilësuar të papranueshme mungesën e transparencës, duke theksuar se proceset gjyqësore ndaj figurave të larta në vende të ndryshme janë zhvilluar me kamera dhe në mënyrë publike.

Reklame

Sipas Cakranit, mospranimi i transmetimit live tregon mungesë guximi nga gjykata dhe institucionet për të ekspozuar, siç tha ai, “provën e vërtetë” të çështjes.

“Fakti që s’e marrin vendimin tregon se kanë frikë nga provat,” u shpreh ai, duke shtuar se publiku duhet të shohë procesin në kohë reale.

Cakrani iu referua disa proceseve të njohura ndërkombëtare dhe historike, duke theksuar se gjyqe të rëndësishme janë zhvilluar me kamera dhe në mënyrë të hapur për publikun dhe mediat.

Ai përmendi gjithashtu se edhe gjyqe të figurave politike në Shqipëri në të kaluarën janë zhvilluar në kushte të hapura për gazetarët.

Avokati kritikoi edhe mënyrën e zhvillimit të seancave ndaj Metës, duke iu referuar mbajtjes së tij në ambient të mbyllur në sallë.

“Është e papranueshme të mbahet në kafaz një ish-president apo një kryetar bashkie,” tha Cakrani.

Ai paralajmëroi se do të njoftojë edhe partnerët ndërkombëtarë për situatën, duke kërkuar vëzhgim të procesit gjyqësor.

Në përfundim të deklaratës së tij, Cakrani tha se mënyra si po zhvillohet procesi dëmton parimet e shtetit të së drejtës dhe krijon, sipas tij, një precedent diskriminues në drejtësi.

“Vetëm në Shqipërinë e 2026 mund të ndodhë kjo,” u shpreh ai.

Reklame