Ndërsa SPAK ka depozituar kërkesën për heqjen e mandatit me qëllim arrestimi ndaj Belinda Ballukut, mbrëmja në Tiranë ka sjellë një tjetër imazh publik për zv/kryeministren. Sipas asaj që po qarkullon në rrjete sociale, ajo ka qenë pjesë e festës së ditëlindjes së vajzës së saj, organizuar në ambientin elitë “The Crown”.

Në skenë raportohet se kanë performuar artistë të njohur, mes tyre Ylli Limani, ndërsa festa është shoqëruar me muzikë live, drita dhe një atmosferë luksi — në një moment kur emri i Ballukut është në qendër të debatit politik dhe institucional.

Reklame

Askush nuk vë në diskutim të drejtën e një nëne për të festuar ditëlindjen e fëmijës së saj. Por kur bëhet fjalë për një zv/kryeministre dhe ministre të Infrastrukturës, e përfshirë në një proces parlamentar që buron nga një kërkesë arresti nga SPAK, çdo dalje publike merr peshë politike.

Në vende me standarde minimale institucionale, një situatë e tillë do të shoqërohej me përmbajtje dhe distancë nga ekspozimi publik. Në Shqipëri, mesazhi që përcillet është tjetër: hetimi vazhdon, por pushteti nuk ndalet.

Procesi ligjor ndaj Ballukut është ende në zhvillim dhe vendimi përfundimtar nuk është marrë. Megjithatë, imazhi që krijohet sot është i fortë: ndërsa drejtësia numëron dosje, politika shfaqet në pistën e vallëzimit.

Reklame