Një ditë pas përfundimit të procesit të ripërtëritjes së zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike, ish-kandidatja e skualifikuar Mereme Sela ka depozituar ankim në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila pushoi çështjen e ngritur prej saj.
Sela kërkon që Apeli të rrëzojë vendimin e shkallës së parë dhe të marrë masa për pezullimin e procesit zgjedhor në PD, si dhe të rikthehet ajo në garë për postin e kryetares së partisë.
Në kërkesën e saj, Sela kërkon gjithashtu skualifikimin e Sali Berishës nga gara për kryetar të PD, duke kundërshtuar mënyrën se si është zhvilluar procesi i përzgjedhjes së kandidatëve.
Gjykata e Shkallës së Parë më herët i dha të drejtë Berishës, duke rrëzuar pretendimet e ngritura nga Sela. Tashmë çështja është në shqyrtim nga Gjykata e Apelit.
Sela u skualifikua nga gara bashkë me tre kandidatë të tjerë
Mereme Sela u shfaq në ditën e fundit të regjistrimit të kandidaturave në selinë e Partisë Demokratike, duke dorëzuar kërkesën për të garuar përballë Sali Berishës.
Megjithatë, ajo u skualifikua nga gara, së bashku me Ervin Salianjin, Alesia Balliun dhe Evi Kokalarin.
Fillimisht u konsiderua nga disa figura politike si një kandidate pa shumë ndikim në proces, por pas skualifikimit ajo ndërmori hapa ligjorë duke kundërshtuar vendimmarrjen e strukturave të PD.
Dy padi në Gjykatën e Tiranës
Pas largimit nga gara, Sela depozitoi dy padi në Gjykatën e Tiranës. Njëra prej tyre iu kthye për plotësim dhe korrigjim, ndërsa çështja tjetër u pushua nga gjykata.
Me ankimimin e ri në Apel, ajo kërkon të rikthejë debatin ligjor mbi mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike.
Vendimi i Apelit pritet të përcaktojë nëse procesi zgjedhor në PD do të vijojë pa ndryshime apo nëse do të ketë një rishikim të vendimeve të marra gjatë garës.
U përjashtua nga gara për kreun e PD-së/ Gjykata refuzon Meremen
Gjykata e Tiranës rrëzoi padinë, Mereme Sela e çon çështjen në Apel















