Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një skemë të re mashtrimi online, që synon qytetarët përmes faqeve të rreme në internet, të ngjashme me faqen zyrtare të institucionit. Sipas njoftimit, autorë ende të paidentifikuar po përdorin këto platforma për përfitime të paligjshme financiare.
Skema funksionon përmes dërgimit të mesazheve SMS dhe email-eve të maskuara, të cilat paraqiten si njoftime zyrtare për pagesën e gjobave rrugore, kryesisht për tejkalim shpejtësie. Qytetarët orientohen drejt linkeve të dyshimta, ku u kërkohet të fusin të dhënat e tyre bankare.
Policia sqaron se këto mesazhe NUK janë dërguar nga institucionet shtetërore dhe paralajmëron se bëhet fjalë për një skemë të mirëorganizuar mashtrimi, me qëllim vjedhjen e të dhënave bankare dhe përvetësimin e fondeve nga llogaritë personale.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për vigjilencë maksimale:
- Të mos klikojnë në linke të dyshimta që vijnë përmes SMS apo platformave të tjera
- Të mos japin asnjëherë të dhëna bankare në faqe të pa verifikuara
- Të kontrollojnë çdo gjobë vetëm në kanalet zyrtare
Për verifikimin e gjobave, qytetarët mund të përdorin portalin zyrtar e-Albania.
Në rast se dikush ka rënë pre e mashtrimit dhe ka dhënë të dhënat bankare, rekomandohet të kontaktojë menjëherë bankën për bllokimin e kartës ose llogarisë, si dhe të denoncojë rastin pranë Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, strukturat ligjzbatuese janë duke vijuar punën për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të kësaj skeme mashtruese.















