Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar një operacion kundër mashtrimit përmes Call Center-ëve, duke arrestuar dhe ndaluar disa persona të përfshirë në një skemë mashtrimi ndaj shtetasve europianë.

Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar tetë persona, ndërsa SPAK ka bërë publikë emrat e gjashtë prej tyre:
Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi.

Reklame

Sipas njoftimit zyrtar, dy persona të tjerë, me iniciale K.K. dhe H.XH., janë shpallur në kërkim dhe vijojnë të jenë nën hetim.

Hetimi u iniciua pas ankesave të disa shtetasve italianë, të cilët kanë deklaruar se janë mashtruar nga Call Center-a që operonin në Shqipëri.

Në ndihmë të hetimeve, gazetarë italianë arritën të infiltrojnë një shtetas italian, i cili nisi punë në një nga këto qendra dhe dokumentoi nga brenda mënyrën e funksionimit të skemës së mashtrimit, duke regjistruar të dhëna dhe prova në ambientet e Call Center-it.

SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

Reklame