Për herë të parë pas 13 ditësh sulmesh të njëpasnjëshme ajrore, Shtetet e Bashkuara nuk ndërmorën një operacion të ri ushtarak kundër Iranit. Zhvillimi ka ngritur spekulime për një ulje të përkohshme të tensioneve mes dy vendeve.
Uashingtoni nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për ndërprerjen e sulmeve. Operacionet amerikane ishin intensifikuar si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane ndaj anijeve që lundronin në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, Hossein Kermanpour, reagoi me ironi në platformën X.
“Duket se Irani ynë i dashur pati një natë të qetë dje”, shkroi ai.
Trump urdhëroi ndalimin e sulmeve
Për herë të parë në ditët e fundit, nuk u raportuan as sulme iraniane ndaj vendeve fqinje të Gjirit. Këto sulme ishin regjistruar çdo ditë si kundërpërgjigje ndaj operacioneve amerikane.
Sipas portalit amerikan Axios, duke cituar dy burime anonime, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi të premten ushtrinë amerikane të mos kryente sulme të reja ndaj Iranit.
Një zyrtar i lartë amerikan i tha Reuters se Trump “gjithmonë ka preferuar diplomacinë”. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se Irani do të përballet me pasoja nëse nuk angazhohet seriozisht në negociata.
Vetë Trump deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani janë në kontakt për mundësinë e zhvillimit të bisedimeve. Sipas tij, negociatat mund të çojnë në përfundimin e konfliktit. Megjithatë, presidenti amerikan tha se Irani nuk është ende gati për një marrëveshje.
Huthi sulmojnë objektiva në Arabinë Saudite
Ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit duket se janë zbutur përkohësisht, situata në rajon mbetet e paqëndrueshme.
Rebelët Huthi ndërmorën sulme ndaj objekteve të naftës në Arabinë Saudite. Sulme u raportuan gjithashtu ndaj dy porteve në Detin e Kuq.
Zhvillimet kanë shtuar shqetësimet për një zgjerim të mëtejshëm të konfliktit përtej Ngushticës së Hormuzit. Analistët paralajmërojnë se një skenar i tillë mund të rrezikojë edhe një tjetër korridor strategjik detar.
Njëkohësisht, ekziston frika për rikthimin e përplasjeve të ashpra në Jemen. Komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet në rajon dhe përpjekjet diplomatike për të shmangur një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Lexo edhe:
Ministri i Jashtëm iranian: Bisedimet nuk do të nisin nën kërcënimet e SHBA-së
SHBA-ja godet sërish Iranin pas rikthimit të bllokadës në Ngushticën e Hormuzit














