Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në Rrugën e Kombit, në afërsi të tunelit të Kalimashit, ku janë përfshirë një automjet tip “Tiguan” me targa të Kosovës dhe një kamionçinë e vogël.
Sipas burimeve nga vendngjarja, nga përplasja kanë mbetur të plagosur katër persona. Tre prej tyre udhëtonin në automjetin “Tiguan”, ndërsa i lënduar ka mbetur edhe drejtuesi i kamionçinës.
Mjeti tip “Tiguan” raportohet se ka pësuar dëmtime të konsiderueshme si pasojë e përplasjes së fortë, ndërsa të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Dëshmitarë në vendngjarje kanë deklaruar se të lënduarit nuk kanë qenë në gjendje të mirë deri në momentin e transportimit me ambulancë.
Policia ka mbërritur në vendin e aksidentit dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e përplasjes, ndërsa pritet edhe një njoftim zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurve.














