Mbi 6 milionë lekë evazion fiskal në dy vite. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim këngëtaren Xhensila Kallaku (Myrtezai), e akuzuar për fshehje të të ardhurave në mënyrë të përsëritur.
Sipas Prokurorisë, nga ekspertimi kontabël ka rezultuar se për vitin 2023 janë shmangur nga detyrimi tatimor 2 milionë e 417 mijë e 311 lekë, ndërsa për vitin 2024 shuma e llogaritur arrin në 3 milionë e 658 mijë e 210 lekë.
Në total, evazioni fiskal i përllogaritur për të dy vitet është 6 milionë e 75 mijë e 521 lekë.
Depozita cash dhe transaksione me pasuri të paluajtshme
Hetimi i procedimit penal nr. 5824/2024 ka evidentuar dyshime për transaksione me pasuri të paluajtshme, depozitime të konsiderueshme parash në cash që, sipas Prokurorisë, nuk justifikohen nga të ardhurat e deklaruara, si dhe tërheqje të mëdha parash për të cilat nuk është dokumentuar mënyra e përdorimit.
Për të justifikuar depozitimet në cash, këngëtarja Xhensila Kallaku (Myrtezai), ka paraqitur një deklaratë me shkrim, ku pretendon se të ardhurat i ka siguruar nga koncertet brenda dhe jashtë vendit. Por, sipas organit të akuzës, këto të ardhura justifikojnë vetëm një pjesë të shumave të depozituara.
Prokuroria: Fshehja e të ardhurave është kryer në dy vite të ndryshme
Nga analiza e akteve dhe ekspertimi kontabël, Prokuroria vlerëson se shmangia e detyrimeve tatimore është kryer në dy vite të ndryshme kalendarike, 2023 dhe 2024.
Sipas organit të akuzës, secili vit përmban veprime të veçanta të fshehjes së të ardhurave, ndaj ato janë konsideruar si dy raste të pavarura të kryerjes së veprës penale.
Në përfundim, këngëtarja Xhensila Kallaku (Myrtezai), është marrë e pandehur për veprën penale “Fshehje e të ardhurave”, të kryer më shumë se një herë, sipas nenit 180/1 të Kodit Penal. Dosja tashmë i është përcjellë gjykatës për shqyrtim.
Lexo edhe
Parashikimi i motit/ Si do të jenë temperaturat gjatë ditës së sotme
Horoskopi, 22 nëntor/ Zbulo çfarë parashikojnë yjet për secilën shenjë














