Në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) po zhvillohet seanca e dytë në themel për gjykimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 29 të pandehurve të tjerë.
Veliaj nuk është paraqitur në sallën e gjyqit, duke u përfaqësuar vetëm nga avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku. Ndërkohë, në seancë janë të pranishëm prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado.
Mësohet se Veliaj ka kërkuar të përfaqësohet nga avokati i tij i ri, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili pritet të marrë zyrtarisht mbrojtjen pas legjitimimit në gjykatë.
Gjatë seancës, prokurori Ols Dado ka lexuar procesverbalin e dorëzimit të dosjes hetimore, duke zbardhur edhe debatet e ashpra që pretendohet të kenë ndodhur në ambientet e paraburgimit mes Veliajt dhe oficerëve të BKH-së.
Sipas prokurorisë, gjatë momentit të dorëzimit të akteve në burgun e Durrësit, Veliaj ka kundërshtuar dhe ofenduar hetuesit, duke përdorur gjuhë të rëndë ndaj tyre dhe ndaj prokurorit të çështjes.
Nga ana tjetër, avokati Plarent Ndreca ka kundërshtuar këtë version, duke deklaruar se ekziston një tjetër realitet për mënyrën si janë zhvilluar ngjarjet dhe duke vënë në pikëpyetje etikën e oficerëve që kanë shkuar në qeli.
Këto deklarata kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të prokurorit Altin Dumani, i cili i kërkoi mbrojtjes të jetë e kujdesshme me pretendimet ndaj hetuesve, duke theksuar se ata kanë zbatuar vendimin e Gjykatës dhe se nuk duhet të hidhen akuza të pabazuara.
Seanca është shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta mes palëve, ndërsa procesi pritet të vijojë me shqyrtimin e provave në një nga çështjet më të bujshme të drejtësisë shqiptare.
Prokurori Ols Dado lexon procesverbalin për dosjen
Ols Dado: “OPGJ-të kanë shkuar në burgun e Durrësit për të dorëzuar aktet. Sipas OPGJ-ve, Erjon Veliaj i ka ofenduar dhe i ka kundërshtuar oficerët.
Veliaj ka deklaruar: “Më ke abortuar dy herë gruan. Ku është prokurori Ols Dado që është më i pasuri aty. Ka marrë leje ndërtimi nga unë. S’kam për t’iu falë kurrë. Ku është ai pis? Këto janë fjalët që Erjon Veliaj iu tha hetuesve kur shkuan për t’i dorëzuar aktet hetimore”.
Erjon Veliaj thotë se në shkresa janë gjetur shkresa me emër të djalit të tij Kajan Veliaj në lidhje me një kontratë me OSHEE.
Ju deklaroj me siguri të plotë se Prokuroria e Posaçme nuk e ka përmendur asnjëherë djalin e të pandehurit Erjon Veliaj. As përmendur dhe as shkruar në asnjë shkresë”.
Plarent Ndreca: “Ka një version tjetër që oficerët i kanë shkuar në qeli Veliajt dhe nuk e di ku e kanë gjetur këtë të drejtë. Nuk e di kush flet për etikë, Erjon Veliaj apo ato oficerët që paguhen me taksat e qytetarëve”.
Kaq ka mjaftuar që të shkaktonte reagimin e prokurorit tjetër Altin Dumani
Altin Dumani: “Më i kujdesshëm kur përmend hetuesit e BKH-së. Ata kanë shkuar për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme. Mos improvizoni situata që nuk ekzistojnë. Ju flisni me hamendje dhe ne flasim fakte”.














