Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka nisur një seri kontrollesh në plazhet e Vlorës për të verifikuar respektimin e hapësirave publike dhe zbatimin e kritereve ligjore për administrimin e vijës bregdetare gjatë sezonit turistik.

Inspektimet kanë filluar mëngjesin e së enjtes në zonën e Lungomares, një nga segmentet më të frekuentuara të bregdetit në qytetin e Vlorës. Në fokus të kontrolleve kanë qenë hapësirat publike të destinuara për pushuesit, si dhe respektimi i kushteve të përcaktuara për operatorët privatë që ushtrojnë aktivitet në plazhe.

Reklame

Gjatë verifikimeve në terren, inspektorët kanë konstatuar raste ku sipërfaqe të dedikuara për përdorim publik janë zënë me çadra dhe shezlongë nga subjekte private, në kundërshtim me ndarjet e miratuara nga institucionet përgjegjëse.

Kontrollet vijnë pas inspektimeve të zhvilluara së fundmi në bregdetin e Vlorës nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe monitorimeve të kryera nga strukturat përgjegjëse për respektimin e kritereve ligjore në administrimin e plazheve.

Në prag të sezonit veror, Bashkia e Vlorës ka dorëzuar pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit hartën e plotë të vijës bregdetare, ku përcaktohen qartë zonat publike dhe ato private përgjatë bregut.

Përveç verifikimit të hapësirave publike, inspektorët kanë kontrolluar edhe plazhet private për respektimin e sipërfaqeve të lejuara sipas kontratave, numrin e çadrave dhe shezlongëve të vendosur, kushtet higjieno-sanitare, si dhe praninë e vrojtuesve të plazhit për garantimin e sigurisë së pushuesve.

Autoritetet kanë paralajmëruar se subjektet që nuk respektojnë kriteret e përcaktuara ligjore do të përballen me masa administrative, përfshirë gjoba, heqjen e pajisjeve të vendosura në mënyrë të paligjshme dhe sekuestrimin e çadrave apo shezlongëve që zënë hapësirat publike.

Reklame