Eno Agasi, kushëriri i Ergys Agasit, është arrestuar pas rreth tetë muajsh në arrati, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia.

Sipas raportimeve në media, Agasi është arrestuar në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me automjet. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe veprime që dyshohet se kanë penguar zbulimin e së vërtetës.

Reklame

Në qendër të hetimeve ndaj tij është edhe çështja e zhdukjes së disa shisheve të shtrenjta vere, të sekuestruara nga SPAK në dhjetor 2025 gjatë operacionit ku u shpall në kërkim edhe Ergys Agasi.

Pas sekuestrimit, shishet ishin inventarizuar dhe ishin lënë përkohësisht në një kantinë, pasi për shkak të orarit të vonë nuk ishte bërë i mundur transportimi i tyre nga autoritetet doganore.

Kur punonjësit janë rikthyer të nesërmen për t’i marrë, shishet nuk janë gjetur më në ambientet e kantinës.

Pikërisht lidhur me këtë episod, Eno Agasi dyshohet se ka kryer veprime që kanë penguar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Paralelisht, ndaj tij vijon edhe hetimi për pastrim parash.

Ergys Agasi u arrestua në Durrës

Kushëriri i tij, Ergys Agasi, një prej personave të shpallur në kërkim nga SPAK në dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), u arrestua më 26 gusht në Durrës.

Në momentin e arrestimit, ai udhëtonte me një automjet tip “Audi”, së bashku me ish-zyrtarin e Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku.

Edhe Shpataraku u arrestua dhe GJKKO vendosi masën “arrest në burg” ndaj tij. Ai akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit”.

Ergys Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit të vitit 2025, në kuadër të hetimeve të SPAK për një grup të dyshuar kriminal, që sipas hetimeve lidhet me manipulimin e tenderave të AKSHI-t.

Tashmë, me arrestimin e Eno Agasit, hetimet e autoriteteve përfshijnë edhe episodin e zhdukjes së verës së sekuestruar.

Lexo edhe:

Shpataraku dërgohet në burgun e Peqinit, ish-polici u arrestua teksa shoqëronte Ergys Agasin

SPAK “zbret” në burgun e Bradasheshit/ Gjenden alkool dhe pajisje interneti, në fokus Ergys Agasi

Reklame