Forcat Operacionale kanë zhvilluar një aksion të befasishëm në paraburgimin e Vlorës, duke ushtruar kontrolle të imtësishme në ambientet e brendshme të institucionit.
Sipas njoftimit të Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, operacioni u realizua në bashkëpunim me forcat speciale dhe grupet e sigurisë nga IEVP-të e Durrës, Elbasan, Fier dhe Berat.
Gjatë kontrollit u verifikuan 58 dhoma, si dhe ambientet e përbashkëta, ndërsa u ushtrua kontroll si mbi regjimin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm të sigurisë.
Nga aksioni u sekuestruan 3 televizorë dhe 1 aparat digjital i pavulosur, të cilët do t’i nënshtrohen rikontrollit, si dhe u konstatuan sende të ndaluara të prodhuara në mënyrë artizanale.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet e befasishme do të vijojnë në të gjitha institucionet penitenciare në vend, me synim forcimin e sigurisë dhe garantimin e respektimit të ligjit.














