Kodi i ri Penal, i cili ka qarkulluar prej verës së vitit 2025 dhe tashmë pritet të marrë miratimin në Parlament, parashikon një paketë ndryshimesh të forta dhe kontroverse, me fokus të veçantë ashpërsimin e dënimeve për krimet seksuale. Disa prej këtyre ndryshimeve po konsiderohen si ndër më të pazakontat dhe më goditëset në historinë e legjislacionit penal shqiptar.

Për herë të parë, drafti kriminalizon përfshirjen e fëmijëve si dëshmitarë të abuzimit seksual, zgjeron format e shfrytëzimit të prostitucionit me të mitur dhe fut një nen të ri që lidhet me organizimin e udhëtimeve për qëllime seksuale.

Reklame

Pikërisht kjo e fundit ka ngjallur reagime dhe debat të fortë publik. Sipas nenit 108/b, nëse gjatë një udhëtimi jashtë Shqipërisë kryhet një marrëdhënie seksuale, personi që ka organizuar udhëtimin mund të dënohet me burg pas kthimit në vend, pavarësisht se akti është kryer jashtë territorit shqiptar.

Drafti thekson se dënimi nuk vlen vetëm për rastet kur ka përfitim financiar, por edhe kur udhëtimi organizohet pa shpërblim, mjafton që qëllimi të lidhet me kryerjen e veprave penale seksuale të parashikuara në ligj.

Sipas formulimit zyrtar të nenit 108/b:
“Organizimi i udhëtimeve për të tjerë, përkundrejt shpërblimit apo jo, me qëllim kryerjen e ndonjë prej veprave penale të parashikuara në këtë seksion (…) pavarësisht parashikimeve ligjore në vendin për ku organizohet udhëtimi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.”

Me një shembull konkret, nëse një person organizon një udhëtim dhe fton dikë tjetër, dhe gjatë këtij udhëtimi i ftuari kryen marrëdhënie intime, organizatori rrezikon dënim me burg, edhe nëse nuk ka përfituar asgjë materialisht.

Më tej, drafti shkon edhe më larg: nëse kjo veprimtari kryhet nga një person juridik, pra përmes një biznesi, firme apo kompanie, përveç dënimit me 2 deri në 6 vite burg, gjykata mund të vendosë edhe mbylljen përfundimtare të subjektit juridik.

Megjithatë, një pikë e errët mbetet mënyra e provimit të marrëdhënieve seksuale të kryera jashtë territorit shqiptar, çështje që nuk sqarohet në draft dhe që pritet të jetë një nga pikat më problematike dhe të debatueshme gjatë diskutimeve parlamentare.

Kodi i ri Penal pritet të hapë një debat të fortë shoqëror dhe juridik, duke vendosur në balancë mbrojtjen e të miturve dhe luftën ndaj krimeve seksuale, përballë kufijve të ndërhyrjes së ligjit në jetën private dhe juridiksionit përtej kufijve shtetërorë.

Reklame