Reshjet e borës e kthyen Malin e Dajtit këtë fundjavë në destinacionin më të kërkuar për qytetarët e Tiranës, por kjo dukuri natyrore solli edhe një problem të madh për trafikun e kryeqytetit. Një video që po qarkullon masivisht në rrjet tregon radhë kilometrike automjetesh nga Dajti deri në qendër të Tiranës, duke habitur dhe shqetësuar shikuesit.

Që në orët e paradites së së dielës, akset kryesore drejt Dajtit u mbushën me automjete, duke shkaktuar bllokime të rënda. Pamjet më dramatike janë regjistruar në rrugën Xhanfize Keko, rrethrrotullimin pranë Institutit të Shëndetit Publik, si dhe në aksin Sotir Çaci dhe Shefqet Kuka, që lidhin zonat urbane me malin.

Reklame

Situata kaotike u përhap edhe në rrugën Myslym Keta, lidhja kryesore me Rrugën e Arbrit, ku drejtuesit e mjeteve raportuan se për të përshkuar vetëm disa kilometra u desh më shumë se një orë për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm.

Bllokimet e këtyre segmenteve shkaktuan efekt zinxhir edhe në Unazën e Madhe, ku hyrjet dhe daljet u mbushën me mjete, shumica drejt Malit të Dajtit.

Autoritetet e qarkullimit u bënë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë orëve të pikut dhe të planifikojnë udhëtimet për të evituar ngarkesat e mëdha. Pamja që po shpërndahet në rrjet është një kujtesë e fortë se bukuritë natyrore të afërta me qytetin mund të sjellin edhe surpriza të mëdha në trafikun e përditshëm.

Reklame