TIRANË – Një email me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, i dërguar mëngjesin e sotëm në adresat elektronike të disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit, ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit.
Në mesazhin elektronik pretendohej se në godinat e institucioneve ishte vendosur një bombë, ndërsa kërcënimi përmbante edhe referenca ndaj Shtetit Islamik dhe ekstremizmit fetar.
Pas marrjes së alarmit, strukturat e Policisë kanë nisur kontrolle të imtësishme në institucionet e prekura, përfshirë verifikimet për praninë e lëndëve apo pajisjeve shpërthyese.
Kontrolle në institucione në Vlorë dhe Berat
Emaili kërcënues është dërguar edhe në disa institucione në Vlorë dhe Berat.
Në Vlorë, në terren janë angazhuar shërbimet e specializuara, ndërsa Njësia Speciale Operacionale ka kryer kontrolle të imtësishme në ambientet e institucioneve të përfshira në kërcënim.
Nga verifikimet e kryera deri në këto momente, nuk është konstatuar asnjë bombë apo pajisje tjetër eksplozive.
Policia: Nuk ka vend për panik
Policia e Shtetit konfirmon se emaili është dërguar nga një adresë elektronike që ende nuk është identifikuar.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, ka nisur punën për identifikimin e autorit dhe adresës nga e cila janë dërguar kërcënimet.
Autoritetet theksojnë se kontrollet vijojnë si masë sigurie dhe se deri tani nuk ka rezultuar prania e ndonjë lënde shpërthyese.
Policia u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke garantuar se strukturat e saj janë të angazhuara për garantimin e sigurisë publike dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Lexo edhe
Si të dalloni një email mashtrues? Shenjat që duhet t’ju bëjnë të dyshoni
Tiranë/ 11 mijë gjoba në një javë, Policia Rrugore shton kontrollet – 55 shoferë në pranga













